Xhamia e Hanko Pashës

 


Xhamia e mbiquajtur “e vogël” në Lushnje dhe imami i saj.

    Afërsisht në vitin 1770, me nismën dhe mbështetjen e gruas së Kurt Pashës, Hanko Pasha, u ngrit xhamia e parë,  në qytetin e Lushnjës, në truallin e fisit Dervishi.   Kjo xhami i përket tipit me “çati druri me tavan dërrasash”. Xhamia në pikëpamjen arkitekturore përbëhej: “salla e lutjeve”, “portiku” dhe “minarja”. 

     Xhamia ishte kishte një territor mjaft të gjerë, një pjesë e te  cilit  ka qenë varreza, pjesa tjetër ka qenë dyqane dhe lulishte. Thuhet që për ndërtimin e kësaj xhamie u morën gurët nga fshati Karinë të Peqinit, që në atë kohë vlerësohej si gur cilësor. 

     Gjatë kohës që në Lushnje po bëheshin përgatitjet e fundit për Mbledhjen Kombëtare janar 1920, imami i xhamisë vuri në dispozicion “sallën e lutjeve” për nxënësit e shkollës plotore,  pasi bangat e tyre u çuan në shtëpinë e Fugëve ku do uleshin delegatët. 


     Nër arkivin e shtetit ruhet një telegram i cili nga pikëpamja historike paraqet shumë intereses. Ja çfarë shkruhet tekstualisht: 

    “Myftiu i Lushnjës informon pranë zyrës së Myftiut në Berat. Se në bazë të urdhënit suprem të zotëris suej dje në datën 29 prill 1924 të martën në mbrëmje ora 3 allaturka në xhaminë e qytetit këtushëm tuj kjenë gati, e përmbledhur një grumbull e madhe prej popullit si mori fund e almija “teremitë” u këndua me një anthuziazëm të madhe mevludi i sherifi për shpirtin e fammadhit heroit kombëtar z. Avni Rustemi, e veçanta q’i përkisin, populli u shpërndatë”. Lushnje më 30/V/1924. 

      Kush ishte imami i pare?

      Imami i parë që ka shërbyer në të dyja xhamitë (fillimisht në të voglën e më pas në të madhen) ka qenë Imam Seit Dhëmbo. Ja çfarë shkruhet për jetën e tij në librin me titull "Hapësira të kulturës islame" të autorit Qeramudin Durdia, f. 71-74, botim i vitit 1999.

     Seit Dhëmbo u lind në Berat në lagjen "Murat Çelepi" më 8 mars 1879. Mbaroi me të vëllanë e madh, Skënderin, medresenë në Berat.    Pati për mësues myftiun (asokohe i moshuar) Mehmet Esatin. Në krah pati Ibrahim Buharanë, mulla Neim Durdinë e të tjerë bashkënxënës. Me të ardhurat e pakta që merrte nga kopshti i tij buzë zallit të lumit Osum, blinte libra. Krijoi, kështu, pak nga pak një bibliotekë të pasur. 

   Këtë pasuri e ndante bujarisht me ata që donin kulturë dhe herët i lindi dëshira t'i përkushtohej atdheut dhe fesë. Shërbeu me përkushtim 51 vjet imam: 34 vjet në Berat në Xhaminë e Delibegës dhe në Xhaminë e Sahatit dhe në vitet 1928 - 1945 në Lushnjë. Në Lushnjë, në ato vite, nuk ishte krijuar ende ndonjë traditë fetare dhe Seit Efendiut i ra barra që çdo gjë ta fillonte nga e para. 


Ai mori aq shumë nga njerëzit e këtij qyteti. por edhe u dha aq shumë atyre. E nisi me hapjen e nje mejtepi (shkollë fetare e asokohe që përgatiste kuadro islamë).Të gjithë filluan ta përgëzonin për këtë nismë. Nxënësit e tij të parë më pas do të bëheshin kuadrot e para të fesë islame në Lushnjë e në fshatrat e saj. Të tillë ishin: Shaban Koçiu (pas vitit 1991 vaiz i Lushnjës) e  Mehdi Shehu (Dervishi) (më vonë myfti i Lushnjës). Ndërsa Qerim Haxhiu, në Egjipt, e kujtonte plot respekt mësuesin e tij të parë. Shumë shpejt Seit Efendiu u bë një nga njerëzit më të nderuar të qytetit. Në përvjetorë historikë, sidomos në përurimin e xhamive në fshatra, ai zinte një vend të veçantë. Pak nga pak xhamia e madhe e qytetit nisi ta ndërronte pamjen. U bë më e bukur, më mikpritëse. Këtu veç ndihmave të qytetarëve, nuk mungoi edhe ndihma e kontributi i tij. Më të bukur atë e bënë besimtarët e shumtë që shtoheshin çdo të premte, apo në festat fetare, që ktheheshin në gëzime të vërteta popullore. Brenda saj edhe zëri i bukur i hoxhë Seitit, duke lexuar Kuran, apo duke mbajtur vas, sikur ua zbuste varfërinë e hallet njerëzve. I dëgjohej fjala nga të gjithë. Punoi për pajtimin e njerëzve dhe për bashkëshkuarjen e feve. Këtë e arriti me kulturën që fitoi (ai njihte disa gjuhë të huaja e studionte shumë), por edhe me personalitetin që krijoi në vite. E thërrisnin të gjithë Baba Seiti. U bë këshilltar i dashur dhe mençur i njerëzve. Thoshte shpesh: “Kur njeriu nxehet, le të japë përgjigje pasi të ketë numëruar shtatë herë. Hero është ai që e komandon veten”. Të sëmurët i shëronte me fjalë. Banorët e moshuar, por edhe më të rinj të qytetit të Lushnjës kujtojnë edhe sot e kësaj dite zakonin e bukur të tij. Kishte ardhur nga Berati qyteti i tij i kalldrëmeve. Çdo mëngjes, kur merrte rrugën nga shtëpia për në xhami, merrte edhe dy gurë për t'i vënë në udhën e përbaltur të lagjes. Pak nga pak ky veprim u përsërit nga dhjetëra bashkëbanorë të lagjes, derisa rruga mori një pamje të re. Shumë pak vite pas largimit të tij nga Lushnja, para se bashkia e qytetit t'i vinte emrin e tij kësaj rruge, asaj ia kishin vënë më parë qytetarët. 

        Më 1945 rikthehet në Berat, tashmë me dy fëmijë, më i moshuar, por me përvojë më të madhe. Një mall i madh, por edhe detyrimi për vendlindjen, bëri që t'i kalonte në Berat ditët e fundit të jetës. E gjejmë sërish imam në Xhaminë e Sahatit. Këtu ai vazhdoi derisa ndërroi jetë më 24 prill të vitit 1950. Me jetën dhe veprën e tij ai la gjurmët e një atdhetari dhe fetari të përkushtuar, duke mbetur shembull për të tjerët.

Burimi: Lushnja, histori, tradita


Comments

Popular posts from this blog

Historiku i Xhamisë së Lushnjës

Imami i parë i Xhamisë së Madhe të Lushnjës